FSK zhvillon trajnim në bazën detare të Pashalimanit në Shqipëri
Qendra Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka zhvilluar një trajnim rifreskues në zhytje në Bazën e Forcave Detare të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Pashaliman të Vlorës.
Foto: Ilustrim
Ky trajnim kishte për qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve ekzistuese, si dhe ngritjen e aftësive të reja në funksion të rritjes së efikasitetit në operacionet ujore. Pjesëtarët e FSK-së janë trajnuar në teknika të kërkimit dhe shpëtimit në mjedise ujore, navigim, si dhe planifikimin dhe realizimin e zhytjeve.
Sipas njoftimit, ky trajnim përbën një element të rëndësishëm për përgatitjen e vazhdueshme dhe profesionalizmin e ekipeve të kërkim-shpëtimit, të cilat mbeten të gatshme të reagojnë me efikasitet në çdo situatë, brenda dhe jashtë vendit.