Gjykata e Lartë jep vendim për Aeroportin e Vlorës, Pacolli: “E vërteta doli në dritë”
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Lartë lidhur me çështjen e Aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar atë si një dokument që përshkruan me detaje atë që ai e quan “horror juridik” ndaj tij, familjes dhe kompanisë së tij.
Përmes një reagimi publik, Pacolli u bëri thirrje qytetarëve dhe të gjithë atyre që kanë ndjekur këtë çështje që ta lexojnë me kujdes vendimin e Gjykatës së Lartë, duke theksuar se konkluzionet e saj dëshmojnë padrejtësitë me të cilat, sipas tij, është përballur për më shumë se një vit.
Ai pretendon se gjatë kësaj periudhe ka qenë objekt i fyerjeve, kërcënimeve, pengimit të punës dhe dëbimit nga ambientet e aeroportit, ndërsa akuzon Valon Ademin dhe administratorët e emëruar prej tij për bllokimin e funksionimit të aeroportit dhe për dëmtime të konsiderueshme financiare e materiale.
Pacolli shprehet se denoncimet e tij nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet shtetërore dhe se shpresa e fundit mbetet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nga e cila kërkon një hetim të plotë dhe të paanshëm.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Lartë nuk është vetëm një akt procedural, por një konfirmim i të drejtës së tij dhe një fitore morale pas një periudhe të gjatë përballjesh ligjore.
“Jam i lumtur që instanca më e lartë e drejtësisë në vend ka konfirmuar të drejtën time. Ky vendim më ka rikthyer besimin, forcën dhe moralin për të vazhduar betejën time”, ka deklaruar Pacolli.
Ai ka falënderuar familjen, ekipin e tij juridik dhe mbështetësit që, sipas tij, nuk e humbën besimin gjatë gjithë procesit, ndërsa ka theksuar se nuk do të bëjë kompromis me parimet mbi të cilat ka ndërtuar jetën dhe veprimtarinë e tij në biznes.
