Konfirmohet një rast i malaries në Kosovë, pacientja e huaj në gjendje të qëndrueshme
Një shtetase e huaj është diagnostikuar me malarie në Kosovë, pasi më 1 gusht 2026 është pranuar në QKUK në gjendje tejet të rëndë shëndetësore, pa vetëdije dhe me parametra vitalë e laboratorikë të çrregulluar.
Pas ekzaminimeve klinike, pacientja është transferuar në Klinikën Infektive për shkak të shenjave të një infeksioni të rëndë sistemik. Gjatë vlerësimit epidemiologjik është konstatuar se ajo kishte udhëtuar së fundmi në vende ku malaria është endemike.
Analizat specifike kanë konfirmuar diagnozën, pas së cilës është nisur menjëherë trajtimi antimalarik. Pacientja vazhdon të trajtohet në Klinikën Infektive nën përkujdesjen e infektologëve.
Sipas informacioneve të fundit, më 5 gusht gjendja e saj është e qëndrueshme. Ajo tashmë komunikon lirshëm, ndërsa parametrat vitalë dhe laboratorikë po kthehen gradualisht në vlera normale.
Malaria nuk transmetohet përmes kontaktit të zakonshëm nga personi në person, por kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Raste të malaries janë raportuar edhe më herët në Kosovë. Gjatë periudhës 2022–2025 janë evidentuar gjithsej tetë raste, të gjitha të importuara. Ato janë diagnostikuar te persona që kishin udhëtuar në vende të kontinentit afrikan ose kishin ardhur prej tyre.
Deri më tani, në Kosovë nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit lokal të malaries.
