Pas fishekzjarreve, Prishtina zgjohet me ajrin e tretë më të ndotur në botë
Natën e ndërrimit të viteve, ndërsa qytetarët e Prishtinës festuan me fishekzjarre dhe kremtime të shumta, mëngjesi i datës 1 janar zbuloi një problem të madh: ndotja ekstreme e ajrit.
Sipas të dhënave të fundit nga Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI), Prishtina u rendit e treta në botë për ajrin më të ndotur, me një vlerë AQI prej 224.
Në listën e publikuar, vetëm Dhaka, Bangladeshi (272) dhe Lahore, Pakistani (256) e tejkaluan Prishtinën, ndërsa pas saj qëndronin qytete si Delhi, India (220) dhe Sarajeva, Bosnje-Hercegovina (197).
Ndotja e lartë në kryeqytetin e Kosovës është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të fishekzjarreve të përdorura gjatë natës festive. Kombinimi i ndotjes nga fishekzjarret dhe ndotësve të tjerë, si ngrohja nga burime joefikase dhe lëvizja e makinave, ka krijuar një situatë alarmante për shëndetin e qytetarëve.
Rreziqet për shëndetin
Vlera AQI prej 224 klasifikohet si “e pashëndetshme,” që nënkupton se ekspozimi ndaj ajrit të tillë mund të shkaktojë pasoja serioze shëndetësore, veçanërisht për grupet e ndjeshme si fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje respiratore.