Nga sot fillon zbatimi i ligjit të ri për çmimet e barnave
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga data 1 shkurt do të fillojë zbatimi i ligjit të ri për çmimet e barnave. Ky ligj ka për qëllim rregullimin e tregut farmaceutik dhe ofrimin e barnave me çmime më të arsyeshme për qytetarët.
Sipas komunikatës së Ministrisë së Shëndetësisë, janë të vetëdijshëm se fillimi i zbatimit të këtij ligji nuk do të jetë i lehtë dhe se mund të ketë sfida. Megjithatë, ata janë të përkushtuar që ky ndryshim të sjellë përfitime afatgjata për të gjithë, me theks të veçantë për qytetarët.
Për të siguruar respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesave të pacientëve, Inspektorati Farmaceutik do të jetë plotësisht i angazhuar për të monitoruar dhe zbatuar këtë reformë legjislative.
Ministria e Shëndetësisë gjithashtu njofton se nga java tjetër do të fillojnë afatet për deklarimin e çmimeve të produkteve medicinale, përfshirë edhe produktet medicinale që janë regjistruar për herë të parë.
Ministria fton të gjitha palët e interesuara të bashkëpunojnë në këtë proces, për një treg farmaceutik më të drejtë dhe më të qëndrueshëm për të gjithë. Ata janë të angazhuar maksimalisht që zbatimi i këtij ndryshimi legjislativ të jetë më i lehtë dhe të tejkalohen sfidat eventuale që mund të hasen gjatë zbatimit.
Ky ligj i ri për çmimet e barnave pritet të ketë një ndikim të madh në tregun farmaceutik në Kosovë. Qytetarët shpresojnë që ky ligj do të sjellë ulje të çmimeve të barnave dhe do t’i bëjë ato më të përballueshme për të gjithë.