36 Mjekë specialistë i shtohen QKUK-së dhe spitaleve rajonale, ja detajet

25.02.2025

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe spitalet rajonale do të pasurohen me 36 mjekë specialistë, duke forcuar kështu kapacitetet shëndetësore në vend.

Mjekët, të cilët kanë përfunduar të gjitha procedurat e pranimit, pritet të nënshkruajnë kontratat dhe të fillojnë punën gjatë kësaj jave.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Shpend Fazliu, i cili ka deklaruar se konkursi për pranimin e këtyre specialistëve është finalizuar.

“SHSKUK sapo ka finalizuar konkursin për pranimin e 36 mjekëve specialistë për krejt SHSKUK, përfshirë klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme,” ka thënë Fazliu.

Nga 36 mjekë specialistë të pranuar, 22 do të punojnë në QKUK, ndërsa 14 të tjerë do të shërbejnë në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjilanit dhe Vushtrrisë. Gjithashtu, një psikolog do të fillojë punën në Qendrën e Shëndetit Mendor në Ferizaj.

Shpërndarja e Mjekëve Specialistë:

  • QKUK:
    • 1 mjek specialist në Klinikën e Kardiologjisë
    • 8 mjekë specialistë në Klinikën e Pediatrisë
    • 5 mjekë specialistë në Klinikën e Kirurgjisë së Përgjithshme-Abdominale
    • 1 mjek specialist i Kirurgjisë së Fëmijëve
    • 2 mjekë specialistë të Kirurgjisë Maksillofaciale
    • 2 mjekë specialist të kirurgjisë në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare
    • 1 mjek specialist në Klinikën e Neonatologjisë
    • 1 mjek specialist në Shërbimin klinik të Emergjencës
    • 1 mjek specialist në Klinikën e Hematologjisë
  • Spitalet Rajonale:
    • Pejë: 1 oftalmolog, 1 pediatër, 1 dermatovenerolog
    • Prizren: 1 endokrinolog, 1 gjinekolog
    • Gjakovë: 1 mjek specialist i mjekësisë emergjente.
    • Vushtrri: 1 mjek specialist i biokimisë.
    • Ferizaj: 1 gjinekolog, 1 endokrinolog, 1 ortoped, 1 kirurg i përgjithshëm, 1 mjek i emergjencës
    • Gjilan: 1 pediatër, 1 oftalmolog, 1 kirurg i përgjithshëm/abdominal.
  • Qendra e Shëndetit Mendor, Ferizaj: 1 psikolog klinik.

Fazliu ka shtuar se në fund të vitit 2024 është finalizuar edhe konkursi për infermierë dhe se gjatë këtij viti priten konkurse të tjera për mjekë, infermierë dhe profile të tjera, pas një analize buxhetore.