Ligjëratë ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit në shkollën “Xhavit Sylaj” në Sllapuzhan
Në kuadër të fushatës së Tetorit Rozë, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) „Rexhep Kuçi“, në bashkëpunim me SH.F.M.U. „Xhavit Sylaj“ në Sllapuzhan, ka mbajtur një ligjëratë ndërgjegjësuese për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Ligjërata me temën „Parandalimi i Kancerit të Gjirit“ u mbajt nga Msc. Inf. Arbërije Kolgeci, e cila informoi të pranishmit për rëndësinë e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.
Në aktivitet morën pjesë edhe mjeket familjare, Dr. Behare Elshani dhe Dr. Sale Bytyqi, të cilat iu përgjigjën pyetjeve të pjesëmarrësve dhe ofruan sqarime lidhur me kujdesin shëndetësor dhe rëndësinë e kontrolleve me kohë.
Në ligjëratë ishin të pranishëm mësimdhënës, prindër dhe nxënës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shëndetësore dhe atyre arsimore në rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin.
QKMF „Rexhep Kuçi“ ka falënderuar drejtorinë dhe stafin e shkollës për mikpritjen dhe bashkëpunimin, si dhe Prof. Blerta Bajraktari për organizimin e këtij aktiviteti.
Në kuadër të Tetorit Rozë, apeli mbetet që qytetarët të informohen për kancerin e gjirit dhe rëndësinë e kontrolleve shëndetësore, pasi zbulimi i hershëm mund të rrisë ndjeshëm mundësitë për trajtim të suksesshëm.
