20 milionë të prekur me kancer në 2022, OBSH: Në 2050 do të jenë 35 mln raste

05.02.2024

20 milion raste të reja me kancer janë identifikuar përgjatë vitit 2022 në të gjithë botën, ndërsa 9,7 milion persona kanë ndërruar jetë.

20 milionë të prekur me kancer në 2022, OBSH: Në 2050 do të jenë 35 mln raste Foto: Ilustrim

Të dhënat bëhen publike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e cila vlerëson se 1 në 5 perosna zhvillojnë kancer gjatë jetës së tyre, ndërsa afërsisht 1 në 9 burra dhe 1 në 12 gra vdesin nga kjo sëmundje.

Kanceri i mushkërive zë vendin e parë në mbarë botën me 2.5 milionë raste të reja, pasuar nga Kanceri i gjirit tek femrat me 2.3 milionë raste, kanceri kolorektal, ai i prostatës dhe kanceri i stomakut.

Sa i takon vdekjeve, Kanceri i mushkërive është i pari me 1.8 milionë fatalitete, i ndjekur nga kanceri kolorektal, ai i mëlçisë, i gjirit dhe kanceri i stomakut.

Ekspertët kanë evidentuar se për gratë, kanceri më i përhapur dhe shkaku kryesor i vdekjes ishte kanceri i gjirit, ndërsa për burrat kanceri i mushkërive.

Vlerësimet e reja të Observatorit Global të Kancerit tregojnë se 10 lloje të kancerit përbënin rreth 2/3 e rasteve dhe vdekjeve të reja globalisht.

Por parashikimet e ekspertëve të shëndetësisë Botërore flasin për rritje me 77% të rasteve me kancer në 2050, ku mendohet se do të jenë mbi 35 milionë raste të reja me kancer.

Kjo rritje e rasteve sipas ekspertëve lidhet me plakjen dhe rritjen e popullsisë, si dhe ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut, nga të cilat disa lidhen me zhvillimin social-ekonomik. Duhani, alkooli, obeziteti dhe ndotja e ajrit janë faktorët kryesorë për rritjen e incidencës së kancerit.