Rritje shqetësuese e rasteve me HIV në Kosovë – më të prekurit të rinjtë
Kosova po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve me HIV gjatë vitit 2025.
Foto: Ilustrim
Vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti, janë regjistruar 19 raste të reja, një shifër që sipas profesionistëve shëndetësorë sinjalizon një trend alarmues në krahasim me vitet e kaluara.
Shefi i repartit në Klinikën Infektive, Dr. Murat Mehmeti, ka bërë të ditur se kjo rritje është shqetësuese, sidomos duke marrë parasysh se gjatë gjithë vitit të kaluar janë raportuar 29 raste, ndërsa tashmë, në më pak se një vit, kjo shifër ka arritur në 19. “Deri në fund të vitit mund të kemi një numër shumë më të madh,” paralajmëron ai.
Aktualisht, në Klinikën Infektive është i shtruar vetëm një pacient, por numri total i personave që janë nën mbikëqyrje dhe trajtim për HIV në të gjithë vendin është rreth 105.
Sipas Dr. Mehmetit, grupmosha më e prekur nga ky infeksion është ajo mes 20 dhe 30 vjeç. Kjo e bën edhe më të domosdoshme ndërgjegjësimin dhe edukimin seksual në mesin e të rinjve, si dhe aksesin në mjete parandaluese.
Një ndër zhvillimet pozitive në këtë drejtim është ofrimi i terapisë parandaluese PrEP (Profilaksia para ekspozimit) që nga qershori i vitit 2024. Kjo terapi synon të parandalojë infektimin me HIV te personat që janë më të rrezikuar.
Sipas Arbër Nuhiut, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale, ofrimi i kësaj terapie është rezultat i një pune 7-8 vjeçare nga organizatat që punojnë me komunitetet më të ndjeshme në vend. “PrEP-i ka filluar të shpërndahet që nga qershori i vitit të kaluar dhe furnizimi është i garantuar deri në fund të vitit 2027 falë një donacioni ndërkombëtar,” ka bërë të ditur Nuhiu. Pas kësaj periudhe, sipas tij, përgjegjësinë pritet ta marrë Ministria e Shëndetësisë.
Përballë rritjes së numrit të rasteve me HIV, institucionet shëndetësore, organizatat joqeveritare dhe vetë shoqëria civile janë thirrur të bashkërendojnë përpjekjet për informim, parandalim dhe trajtim efektiv të këtij infeksioni.
Specialistët thonë se, ndonëse rastet e reja janë rritur, Kosova aktualisht ka terapi të mjaftueshme – përfshirë edhe atë parandaluese – por është thelbësore që qytetarët të jenë të informuar dhe të vetëdijshëm për rrezikun që sjell HIV dhe mënyrat e mbrojtjes.
Në këtë drejtim, edukimi seksual, testimi vullnetar dhe qasja pa paragjykim në shërbime shëndetësore mbeten hallkat kyçe në luftën kundër përhapjes së HIV-it në vend.