Rritet numri i rasteve me kancer në Kosovë, mbi 1100 raste të reja të regjistruara në Onkologji këtë vit

17.08.2025

Numri i rasteve të reja me kancer në Kosovë po shënon rritje të vazhdueshme, ndërsa Klinika e Onkologjisë në QKUK po përballet çdo ditë me një fluks të madh pacientësh.

Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 janë regjistruar rreth 1,100 raste të reja me kancer.

Sipas të dhënave, kanceri më i përhapur në vend mbetet ai i gjirit, me 235 raste të reja, shumica e të cilave janë regjistruar tek gratë mbi moshën 50 vjeçare.

Trajtimi i pacientëve

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, tha për KosovaPress se klinika trajton çdo ditë nga 250 deri në 300 pacientë në shërbimin e kimioterapisë, si dhe 120–140 pacientë në shërbimin e radioterapisë. Ai theksoi se klinika nuk ka listë pritjeje për pacientët që kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm, qoftë për radioterapi, qoftë për kimioterapi.

Kurtishi nënvizoi se gjatë këtij gjashtëmujori nuk është referuar asnjë rast për trajtim jashtë vendit, falë përdorimit të teknikave të avancuara si IMRT dhe stereotaksia, të cilat kanë reduktuar ndjeshëm nevojën për trajtime jashtë Kosovës.

Furnizimi me barna

Lidhur me barnat esenciale, drejtori i klinikës tha se furnizimi është i siguruar në rreth 80%. Megjithatë, pesë barna mungojnë për shkak të pengesave ligjore dhe procedurave të prokurimit, duke bërë që pacientët të detyrohen t’i sigurojnë vetë ato. Ai shtoi se barnat kryesore janë të disponueshme dhe të përdorshme për trajtimet e nevojshme.

Kërkesa për më shumë staf

Pavarësisht arritjeve në trajtime, Klinika e Onkologjisë po përballet me mungesë të stafit infermieror. Kurtishi theksoi se ka nevojë të vazhdueshme për rritjen e numrit të infermierëve, në mënyrë që të përballohet fluksi i lartë i pacientëve dhe të sigurohet shërbim sa më cilësor.

Ky bilanc për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 tregon qartë se kanceri mbetet një sfidë e madhe për shëndetësinë kosovare, ndërsa institucionet shëndetësore po përpiqen të ofrojnë trajtime moderne dhe të menjëhershme për pacientët në vend.