Prokuroria në Prizren ngre aktakuzë ndaj A.B. dhe E.Sh. për shitblerje të narkotikëve

19.11.2025

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve, A.B. dhe E.Sh., për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, të kryer në bashkëkryerje.

Prokuroria në Prizren ngre aktakuzë ndaj A.B. dhe E.Sh. për shitblerje të narkotikëve Foto: Ilustrim

Sipas aktakuzës, më 16 korrik 2025 në Prizren, të pandehurit kanë vepruar së bashku në shpërndarjen dhe ofrimin për shitje të substancave narkotike të llojit marihuanë, të cilat i kishin siguruar përmes kanaleve ilegale. Prokuroria sqaron se E.Sh., duke përdorur veturën e tij, ishte nisur drejt shtëpisë së A.B.-së, ku kishte marrë një çantë të zezë që përmbante 18 qese me marihuanë. Më pas, të dy kishin realizuar shitjen e një sasie të narkotikëve tek dy persona të identifikuar si L.K. dhe E.K.

Policia ka ndërhyrë menjëherë pas shitjes, duke arrestuar të pandehurit në flagrancë. Gjatë tentimit për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, A.B. kishte hedhur në tokë çantën me 18 qese najloni që përmbanin rreth 60.97 gram marihuanë.

Kontrollet kanë vazhduar edhe në shtëpinë e të pandehurit A.B., ku gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar 78 qese të tjera të mbushura me substancë të dyshuar narkotike. Sipas rezultateve të laboratorit të Agjencisë Kosovare për Forenzikë, substancat kanë rezultuar të jenë marihuanë, me një peshë të përgjithshme prej 2 kilogramësh.

Prokuroria kërkon konfiskimin e pasurisë së fituar përmes krimit

Prokurori i rastit ka propozuar që të konfiskohen të gjitha mjetet dhe sendet që janë përdorur për kryerjen e veprës penale ose që përfaqësojnë dobi pasurore nga aktiviteti kriminal. Në mesin e tyre përfshihen:

  • rreth 2 kg substancë narkotike,
  • një automjet i përdorur për transportimin e drogës,
  • para të gatshme të përfituara nga shitja e substancave narkotike.

Prokuroria ka kërkuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas parashtresave ligjore.

Rasti mbetet në procedura gjyqësore, ndërsa autoritetet e rendit dhe drejtësisë theksojnë se lufta kundër shpërndarjes dhe trafikut të narkotikëve mbetet një nga prioritetet kryesore për sigurinë publike në vend.