Prokuroria jep detaje për aksionin në Agjencinë Kadastrale dhe atë të Arkivave – Bastisje dhe arrestime për keqpërdorim të pronës publike

16.07.2025

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, ka zbatuar sot një aksion të gjerë hetimor në disa lokacione, përfshirë institucione shtetërore dhe zona të tjera me interes për hetimin penal.

Në kuadër të çështjes penale me shenjën PP.I.126K/23, janë realizuar bastisje dhe kontrolle të autorizuara nga Gjykata në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime. Ndër institucionet ku është ndërhyrë janë Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia e Arkivave të Kosovës, përveç lokacioneve të tjera të lidhura me rastin.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë aksionit janë shoqëruar në polici pesë persona me inicialet M.B., V.B., B.Sh., M.B. dhe Z.Sh., prej të cilëve disa janë arrestuar pas intervistimit. Ata dyshohen për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, konkretisht në rastin e bartjes së pronave publike në pronësi private në mënyrë të jashtëligjshme.

Hetimet lidhen me një aktgjykim të dyshuar të falsifikuar, përmes të cilit dyshohet se është bërë transferimi i një prone publike në Veternik të Prishtinës, në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), respektivisht të ndërmarrjes shoqërore RTP, në emër të pronës private.

Prokuroria ka theksuar se hetimet janë në vijim dhe se rasti mbetet nën shqyrtim të hollësishëm, ndërsa ka rikonfirmuar përkushtimin për ndjekjen e veprave penale që dëmtojnë pasurinë publike dhe interesin e qytetarëve.