Prokuroria: Përleshja me armë në Podujevë dyshohet se ndodhi mes dajës dhe nipit, katër të plagosur
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje të reja lidhur me përleshjen e armatosur që ndodhi të enjten rreth orës 13:40 në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë.
Foto: Ilustrim
Sipas Prokurorisë, në incident janë përfshirë tre persona, ndërsa si pasojë e të shtënave me armë zjarri janë plagosur katër persona – tre të përfshirë në ngjarje dhe një kalimtar i rastit.
Të dhënat fillestare të hetimit tregojnë se të dyshuarit kanë lidhje familjare, përkatësisht bëhet fjalë për dajë dhe nip, ndërsa motivi dyshohet të jetë një mosmarrëveshje e mëhershme.
Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda, i cili së bashku me njësitet e Policisë së Kosovës ka nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Prokuroria njofton se personat e përfshirë dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, ndërsa të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës.
