B.G. akuzohet për tentim vrasje – goditi 6 herë me thikë bashkëshorten nga xhelozia, plagosi edhe vajzën e mitur

25.11.2025

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.G., i cili akuzohet për “Vrasje të rëndë në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 17 tetor 2025, rreth orës 00:10, në banesën familjare në Prizren. Pas një konflikti të çastit me motive xhelozie, i pandehuri B.G. dyshohet se ka sulmuar bashkëshorten e tij M.A. me thikë, me teh të gjatë 13 centimetra, duke e goditur gjashtë herë dhe duke i shkaktuar dëmtime serioze të organeve të brendshme.

Në momentin e sulmit, vajza e mitur e viktimës ka tentuar të ndërhyjë për ta ndalur autorin, por është goditur po ashtu me thikë nga i pandehuri, duke pësuar lëndime të rënda në zonën e barkut dhe të kraharorit. Të gjitha dëmtimet e shkaktuara ndaj dy viktimave janë konfirmuar nga ekspertiza mjeko-ligjore e datës 24 nëntor 2025.

Prokurori i çështjes, me rastin e paraqitjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri B.G. të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe të dënohet sipas ligjit.