Aktakuzë ndaj dy personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik në Suharekë
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorim apo mashtrim në prokurim publik, lidhur me një projekt në fshatin Samadraxhë të Suharekës.
Foto: Ilustrim
Sipas aktakuzës, B.B., drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, gjatë periudhës nga 23 shtatori 2019 deri më 20 dhjetor 2021, në cilësinë e menaxherit të kontratës për projektin “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)”, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat zyrtare me qëllim që t’i mundësojë përfitim operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K.
Prokuroria pretendon se, në kuadër të një kontrate me vlerë prej 28,650 euro, B.B. ka nënshkruar pagesën prej 5,000 euro sipas situacionit të katërt, duke konstatuar se punimet ishin realizuar sipas kontratës, ndonëse ato, sipas aktakuzës, nuk ishin kryer në përputhje me paramasën dhe parallogarinë.
Për këtë rast, Komunës së Suharekës dyshohet se i është shkaktuar dëm material prej 5,000 eurosh, i cili është evidentuar edhe përmes ekspertizës së ndërtimtarisë.
Ndërkaq, A.M., si person përgjegjës i operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., akuzohet se nuk ka përmbushur detyrimet e përcaktuara me kontratën e prokurimit publik dhe ka pranuar pagesën prej 5,000 euro, ndonëse punimet e parapara nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe specifikimeve teknike.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.
