Prizren, ngritet aktakuzë ndaj katër të pandehurve për shpërndarje të narkotikëve

16.06.2025

Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave – Sh.L., D.L., A.K., dhe K.Z. – për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, më 7 nëntor 2024, rreth orës 19:00, në një shtëpi në Prizren që përdorej nga i pandehuri D.L., të akuzuarit janë kapur në flagrancë duke poseduar dhe paketuar substanca narkotike me qëllim shitjeje dhe shpërndarjeje.

Gjatë bastisjes, Policia ka sekuestruar:

  • 11 qese me kokainë (3.69 gram), të gjetura në hyrje të shtëpisë dhe në trupin e D.L.;
  • 35 qese me marihuanë (900 gram) dhe sasi të tjera shtesë, në total 989.72 gram;
  • 3 qese me kokainë (0.71 gram);
  • 20 tableta të llojit Xanax – Alprazolam 0.5 mg;
  • Pajisje për përgatitjen dhe paketimin e drogës: qese najloni, peshore digjitale, dhe tre “grindera” me mbetje marihuane.

Në katin e dytë të shtëpisë janë gjetur të pandehurit Sh.L., A.K., K.Z., si dhe një i mitur, duke paketuar substanca narkotike.

Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi.