Përfundojnë hetimet për vrasjen e Liridona Ademaj – ngritet aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre të akuzuarve tjerë
Pas një hetimi intensiv, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka arritur të ngre aktakuzë në rastin e vrasjes së 30-vjeçares Liridona Ademaj, e cila u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Kryeprokurori Zejnullah Gashi, gjatë një konference për media, bëri të ditur se janë ngritur akuza ndaj tre personave të dyshuar për këtë krim makabër.
Naim Murseli, ish-bashkëshorti i viktimës, akuzohet se ka organizuar dhe planifikuar vrasjen e Liridonës. Dyshohet se ai ka angazhuar dy persona të tjerë për të kryer këtë vepër të tmerrshme.
Granit Plava dyshohet se është ekzekutori material i vrasjes, ndërsa Kushtrim Kokalla akuzohet se ka ndihmuar në kryerjen e krimit.
“Siç e dini, ky ka qenë një rast i ndjeshëm dhe fillimisht ka qenë i inskenuar si grabitje. Mirëpo, falë angazhimit maksimal të hetuesve dhe prokurorëve, brenda një afati të shkurtër kohor kemi arritur t’i zbulojmë kryesit e kësaj vepre penale. Ka qenë një çështje penale jashtëzakonisht e ndjeshme edhe sa i përket kompleksitetit të saj dhe janë zhvilluar hetime në shumë dimensione”, tha Gashi.
Prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë kundër të tre të dyshuarve.