Kërkohet paraburgim për të dyshuarin e vrasjes në lagjen “Tusuz” në Prizren, Prokuroria jep detaje

12.08.2025

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të pandehurin E.B., i dyshuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Rasti lidhet me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e së dielës, më 10 gusht 2025, në lagjen “Tusuz” të Prizrenit. Sipas prokurorisë, viktima H.SH. ka humbur jetën pas një konflikti me të dyshuarin, i cili dyshohet se e ka goditur me thikë pas një mosmarrëveshjeje.

Hetimet tregojnë se fillimisht të dy, E.B. dhe H.SH., kanë nxitur qentë e tyre për përleshje. Pas një fjalosjeje të shkurtër, i dyshuari, sipas prokurorisë, në mënyrë të befasishme ka nxjerrë një thikë-patente dhe e ka goditur viktimën. Ky i fundit është dërguar në QKUK në Prishtinë, ku ka ndërruar jetë nga plagët e marra.

Përveç akuzës për “Vrasje të rëndë”, E.B. ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.