Gjykata Speciale nuk i pranon krimet serbe në Kosovë si prova në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

21.10.2025

Mbrojtja e Jakup Krasniqit, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Speciale në të cilën ka kërkuar pranimin e disa materialeve si prova që, sipas saj, janë të rëndësishme dhe mbështesin linjën mbrojtëse kundër akuzave që rëndojnë ndaj tij dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.

Gjykata Speciale nuk i pranon krimet serbe në Kosovë si prova në rastin e ish-krerëve të UÇK-së Foto: Ilustrim

Por Gjykata Speciale ka refuzuar shumicën e këtyre materialeve, duke i cilësuar si “përgjithësisht jorelevante” për çështjen në fjalë. Sipas trupit gjykues, mbrojtja nuk ka arritur të vërtetojë se incidentet dhe materialet e propozuara lidhen me ndonjë nga faktet në aktakuzë, apo se ndihmojnë në ndriçimin e organizimit dhe aktiviteteve të UÇK-së në kohën dhe vendin e përmendur në aktakuzë.

Në mesin e provave të refuzuara përfshihet një video e BBC-së që dokumenton krime të kryera nga forcat serbe në Rahovec, të cilën mbrojtja e paraqiti si provë për të treguar kontekstin e ngjarjeve të asaj kohe. Trupi gjykues ka pranuar vetëm dy pjesë të shkurtëra të videos si potencialisht relevante, ndërsa pjesët tjera janë vlerësuar si të parëndësishme për çështjen.

Gjithashtu, një tjetër provë që kishte të bënte me marrëdhëniet ndërmjet UÇK-së dhe LDK-së, është refuzuar, me arsyetimin se përmbajtja e saj nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me akuzat ndaj Krasniqit. Sipas trupit gjykues, edhe pse përmendet denoncimi i LDK-së për krimet e kryera nga forcat serbe, kjo është e rëndësishme vetëm nëse ka lidhje të qartë me akuzat ndaj të pandehurit – gjë që mbrojtja nuk e ka dëshmuar.

Gjykata ka hedhur poshtë edhe një seri materialesh të tjera që, sipas avokatëve të Krasniqit, dëshmojnë se ai nuk kishte kontroll mbi individët që mund të kenë kryer krime në periudhën pas përfundimit të luftës dhe nuk kishte dijeni për veprimet e tyre.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte kërkuar më herët që këto materiale të mos pranohen, duke pretenduar se ato janë “të papranueshme proceduralisht, pa vlerë provuese dhe të parëndësishme”.

Mbrojtja e Krasniqit, në kërkesën e saj, ishte mbështetur në raporte ndërkombëtare dhe materiale të mediave të njohura për të ndërtuar argumentin se krimet e kryera nga forcat serbe janë thelbësore për të kuptuar kontekstin në të cilin vepronte UÇK-ja, dhe për të kundërshtuar pretendimet se ka ekzistuar një politikë sistematike kundër civilëve nga ana e saj.

Avokatët e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës konsiderojnë se këto prova janë thelbësore për të kundërshtuar pretendimet e aktakuzës lidhur me ekzistencën e një politike të organizuar nga UÇK-ja ndaj të ashtuquajturve “kundërshtarë”, si dhe për të mohuar se Krasniqi ka pasur kontroll efektiv apo dijeni për krimet e kryera në terren.

Megjithatë, trupi gjykues ka qëndruar në qëndrimin se shumica e këtyre materialeve nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me akuzat ndaj Krasniqit, dhe si të tilla nuk mund të pranohen si prova në këtë fazë të procesit gjyqësor.

Suspected Malware | Cloudflare

Warning

Suspected Malware

This website has been reported for potentially distributing malware.

Malware is malicious software created to intentionally disrupt the normal operations of a device.

Learn More