Aktakuzë për shpëlarje parash ndaj një të dyshuari në Prishtinë, sekuestrohen prona në vlerë prej mbi 350 mijë euro

26.06.2025

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë për veprën penale “Shpëlarje e parasë” kundër të pandehurit G.S. .

Sipas Prokurorisë, i pandehuri G.S. gjatë periudhës 2019–2023 ka pranuar dhe menaxhuar shumën prej 898,937.84 euro, me vetëdije se ajo buronte nga veprimtari e jashtëligjshme. Dyshohet se kjo shumë është lëvizur dhe menaxhuar përmes kontratave fiktive dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të dyshuar, jashtë territorit të Kosovës, me qëllim fshehjeje të burimit dhe natyrës së pasurisë.

Në aktakuzë është përfshirë edhe personi juridik “G.S. I.S.”, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se është themeluar dhe përdorur nga i pandehuri për të qarkulluar mjetet dhe për të maskuar produktet e veprimtarisë kriminale.

Si pjesë e procedurës, Prokuroria ka kërkuar dhe Gjykata ka miratuar sekuestrimin e pesë parcelave tokësore, me vlerë të përgjithshme prej rreth 355,800.00 euro. Prokuroria ka propozuar që këto prona të konfiskohen pas përfundimit të gjykimit.

Gjithashtu, Prokuroria Speciale ka kërkuar që ndaj personit juridik të shqiptohet dënim me gjobë dhe sanksioni penal “Pushimi i personit juridik”, ndërsa ndaj të pandehurit G.S. të shqiptohet dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë”, që lidhet me llojin e aktivitetit që ai ka ushtruar si person përgjegjës i subjektit të përfshirë në rast.

Hetimet dhe procesi gjyqësor do të vazhdojnë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.