Aktakuzë për katër vepra penale ndaj të dyshuarit për sulm ndaj Policisë dhe KFOR-it në Zveçan

30.07.2025

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi të identifikuar me inicialet M.A, për përfshirje në ngjarjet e dhunshme të ndodhura më 29 maj 2023 në komunën e Zveçanit.

Sipas njoftimit zyrtar, aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ngarkon të pandehurin me katër veprat e rënda penale, sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge, si dhe posedim i paautorizuar i armëve.

Prokuroria thekson se M.A, së bashku me persona të tjerë, ka sulmuar me mjete të rrezikshme dhe armë zjarri pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it. Sipas aktakuzës, sulmet kanë ndodhur në perimetrin përreth objektit të komunës, nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes.

“Pavarësisht urdhrave të përsëritur nga KFOR-i për shpërndarje të qetë të turmës, i pandehuri ka vijuar të ushtrojë dhunë të pakontrolluar, duke përdorur shufra, koktej molotovi, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Nga këto veprime janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në automjete zyrtare dhe në pajisjet e mediave që mbulonin ngjarjen.

Prokuroria Speciale ka kërkuar:

  • konfiskimin e një arme zjarri,
  • shkatërrimin e substancave narkotike të sekuestruara,
  • dhe vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor.

Rasti mbetet një nga më të rëndat për nga natyra e veprave dhe numri i të lënduarve në raportet e fundit të dhunës në veri të Kosovës.