Aktakuzë ndaj një burri në Gjakovë për kanosje me armë ndaj bashkëshortes dhe vëllait të saj
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit G.G., nën dyshimet për kryerjen e katër veprave të ndryshme penale që lidhen me dhunën në familje dhe posedimin e paautorizuar të armëve dhe narkotikëve.
Ngjarja ka ndodhur më 26 shkurt 2025, rreth orës 13:00, në rrugën “I.G.” në Gjakovë, në shtëpinë e të pandehurit. Sipas aktakuzës, G.G. kishte kanosur me armë automatike të llojit AK-47 bashkëshorten e tij E.G. dhe vëllain e saj I.H., për shkak të xhelozisë dhe dyshimeve për tradhti, duke u thënë se do t’i vriste.
Përveç kanosjes me armë, G.G. ka përdorur edhe një thikë për të sulmuar fizikisht bashkëshorten, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Këto dëmtime janë konfirmuar nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se i pandehuri posedonte armë dhe municion pa leje, si dhe substanca narkotike për të cilat nuk kishte autorizim ligjor.
Bazuar në këto fakte, Prokuroria e ngarkon G.G. me këto vepra penale:
- “Kanosja” – Neni 181, paragrafi 4 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)
- “Lëndimi i lehtë trupor” – Neni 185 i KPRK
- “Mbajtja e paautorizuar e armëve” – Neni 366 i KPRK
- “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve” – Neni 269 i KPRK
Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, si dhe të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor.
Rasti aktualisht është në shqyrtim nga gjykata kompetente.