Zyrtari policor në Prizren rrezikon burgun, dyshohet për dhunë dhe kërcënim
Zyrtari policor nga Prizreni, Kenan Idrizaj, i cili u arrestua dhe më pas u suspendua me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), po përballet me mundësinë e paraburgimit, pasi Prokuroria Themelore në Prizren ka ushtruar kërkesë për masë sigurie ndaj tij.
Fillimisht, IPK kishte njoftuar se Idrizaj dyshohej për dhunë në familje, por gjatë procedurës penale vepra është kualifikuar ndryshe nga Prokuroria.
Sipas informacioneve të siguruara nga Klan Kosova, prokurori i rastit ka përcaktuar se ndaj zyrtarit policor rëndojnë dy akuza specifike: “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në përgjigjen zyrtare për Klan Kosova, Prokuroria Themelore në Prizren konfirmon se brenda afatit ligjor ka dorëzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit K.I., me arsyetimin e ekzistimit të dyshimeve të bazuara për përfshirjen e tij në këto vepra penale.
“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afatit ligjor, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prizren, për të pandehurin K.I., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’ nga neni 185 par.3 nënpar. 3.1 lidhur me par.1 dhe ‘Kanosja’ nga neni 181 par.4 lidhur me nenin 77 par.1 dhe 2, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Seanca dëgjimore pritet të mbahet në ditët në vijim, ku do të vendoset nëse ndaj Idrizajt do të caktohet masa e paraburgimit, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme hetimore.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për etikën profesionale brenda Policisë së Kosovës, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë theksuar se do të vazhdojnë procedurat sipas ligjit dhe me transparencë të plotë.