Zbulohet një lokal i bixhozit të paligjshëm në Podujevë – pronari ndalohet për 48 orë

11.10.2025

Pavarësisht ndalesës me ligj, veprimtaritë ilegale të lojërave të fatit po vazhdojnë të sfidojnë autoritetet në Kosovë.

Një tjetër rast i tillë është zbuluar së fundmi në qytetin e Podujevës, ku Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion që çoi në zbulimin e një lokali ku dyshohej se zhvilloheshin bixhoz i paligjshëm dhe aktivitete të ndërlidhura me skema piramidale.

Burimet bëjnë të ditur se më 10 tetor 2025, rreth orës 20:00, njësia e hetimeve pranë Stacionit Policor të Podujevës, pas informacioneve operative, ka ndërhyrë në një lokal të dyshuar në rrugën “Afrim Zhitia”.

Me autorizim të Prokurorit Kujdestar dhe pëlqimin e pronarit të lokalit, F. Duriqi, 45 vjeç, policia ka kryer kontroll të imtësishëm, ku janë gjetur dhe sekuestruar:

2 shtëpiza kompjuteri

Një shtypëse tiketash

Një skener tiketash

Monedha metalike në vlera të ndryshme (5€, 2€, 1€, 0.50€)

Një sef parash

F. Duriqi është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa dy persona të tjerë, M.H. dhe B.E., janë marrë në pyetje si dëshmitarë.

Pas konsultimeve me Prokurorin Kujdestar, ndaj Duriqit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprat penale:

“Organizimi i bixhozit të paligjshëm”

“Organizimi i skemave piramidale”

Hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti ilegal janë në zhvillim e sipër. Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë luftën kundër aktiviteteve të tilla që dëmtojnë sigurinë dhe ekonominë e vendit.