Vdekja e punëtorit në fabrikën“NewBalkan”, arrestohen dy persona

27.09.2025

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së premtes në Suharekë, ku një punëtor i fabrikës “NewBalkan”, me inicialet M.D., ka humbur jetën gjatë orarit të punës.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar rastin duke thënë se i ndjeri është lënduar aksidentalisht, ku dyshohet se është goditur nga një pjesë metalike e një vinçi.

“Rreth orës 16:30 të datës 26.09.2025, Policia është njoftuar se një punëtor i fabrikës ‘NewBalkan’ në Suharekë, me inicialet M.D., është lënduar aksidentalisht gjatë orarit të punës, dyshohet nga një pjesë metalike e një vinçi”, tha Bytyqi.

Poashtu, lidhur me rastin Policia e Kosovës ka dhënë edhe detaje të tjera duke shtuar se për rastin në fjalë janë arrestuar dy persona.

“Viktima mashkull kosovar-punëtor, derisa ishte duke punuar, dyshohet se aksidentalisht është lënduar. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit, aty ekipi mjekësor ka konstatuar se viktima ka arritur pa shenja jete. Me vendim të prokurorit janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.”, thuhet në njoftimin e policisë.