U raportua i zhdukur, Selim Voca gjendet i vdekur në Serbi

22.11.2025

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar se ka pranuar raportimet zyrtare lidhur me vdekjen e shtetasit të Kosovës, Selim Voca, i cili ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me tren në qytetin Aleksinac, në Serbi.

Sipas njoftimit zyrtar, Voca ishte raportuar si person i zhdukur më 19 nëntor 2025, nga bashkëshortja e tij, në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut. Autoritetet serbe kanë njoftuar institucionet kosovare se trupi i pajetë i të ndjerit aktualisht ndodhet në Spitalin e Nishit, ku po kryhen procedurat përkatëse mjeko-ligjore.

MPJD ka bërë të ditur se është vënë në koordinim të plotë me institucionet relevante të Republikës së Kosovës, me qëllim që të sigurohet kthimi sa më i shpejtë i trupit të të ndjerit në Kosovë dhe finalizimi i të gjitha procedurave të nevojshme.

Ndërkohë, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi po qëndron në komunikim të vazhdueshëm me familjarët e viktimës dhe me autoritetet serbe, për të ofruar asistencë brenda kompetencave të saj dhe për të lehtësuar çdo proces administrativ.

MPJD ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura për trajtimin e këtij rasti “me seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme”, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur familjen e viktimës në këtë periudhë të rëndë.

Ndryshe, Selim Voca, me moshë 86 vjeç, kishte humbur lidhjet me familjen prej mëngjesit të datës 18.11.2025 kur kishte dalë nga shtëpia./Telegrafi/