Avokati Koci: Mërgimtarët që kalojnë nëpër Serbi duhet të kenë kujdes me postimet publike

28.06.2026

Avokati Arianit Koci ka bërë një paralajmërim për mërgimtarët që po udhëtojnë drejt Kosovës përmes territorit të Serbisë, duke u kërkuar kujdes me komentet dhe publikimet në rrjete sociale.

Koci ka shkruar se personat që kalojnë tranzit ose qëndrojnë në Serbi duhet të jenë të vetëdijshëm se përmbajtjet e publikuara në rrjete sociale, forume apo platforma të tjera publike në internet mund të tërheqin vëmendjen e autoriteteve, nëse ato konsiderohen si fyese, kërcënuese ose si nxitje e urrejtjes.

Sipas tij, në raste të caktuara, postime apo komente të tilla mund të bëhen objekt i interesimit të institucioneve serbe.

“Varësisht nga rrethanat konkrete dhe legjislacioni që zbatohet, mund të ndaloheni, të intervistoheni dhe, nëse sipas legjislacionit të tyre ekziston bazë ligjore, të procedoheni penalisht ose për kundërvajtje”, ka paralajmëruar Koci.

Ai ka apeluar që mërgimtarët të tregojnë kujdes gjatë udhëtimit dhe të shmangin publikimet që mund të interpretohen si shkelje ligjore nga autoritetet e vendit ku po kalojnë.

“Për ata që udhëtojnë nëpër Serbi”, ka shkruar Koci, duke kërkuar që mesazhi të shpërndahet për të informuar sa më shumë qytetarë që po udhëtojnë drejt Kosovës.