Tentoi ta therrë me thikë nënën e tij – Arrestohet 18 vjeçari në Carrallukë të Malishevës

20.10.2025

Një ngjarje e rëndë dhune në familje është regjistruar paraditen e së shtunës në fshatin Carrallukë të Malishevës, ku një 18-vjeçar dyshohet se ka tentuar ta sulmojë nënën e tij me mjet të prehtë.

Sipas burimeve nga Policia e Kosovës, incidenti ka ndodhur më 18 tetor 2025, rreth orës 11:00, kur Stacioni Policor i Malishevës është njoftuar për një rast të dhunës në familje. Viktima, L. K., rreth 46-vjeçare, ka deklaruar se djali i saj, E. K., pas një fjalosjeje, ka tentuar ta godasë me thikë. Fatmirësisht, ndërhyrja e bashkëshortit të saj ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Nga ana tjetër, i dyshuari ka mohuar akuzat, duke deklaruar se kishte pasur vetëm një debat verbal me nënën e tij, pa ndonjë tentativë për ta sulmuar atë fizikisht.

Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhuna në familje”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.

Viktima është vizituar nga mjeku dhe, me pëlqimin e saj, është kthyer në shtëpi. Ndërkohë, rasti është duke u hetuar në procedurë të rregullt nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.