1.
Policia sekuestron drogë e armë, arrestohen tre të dyshuar
07.11.2025
Njësitë e DHTN në Pejë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Pejë, kanë kryer bastisje në pronat e tre të dyshuarve meshkuj kosovarë në fshatrat Drenoc dhe Isniq.
Gjatë aksionit janë gjetur dhe sekuestruar:
- 161.9 gramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë
- Një armë AK-47 dhe një armë e gjatë gjysmautomatike
- Një pushkë ajrore (jo funksionale) dhe dy granata dore
- 236 fishekë të kalibrave të ndryshëm, pjesë dhe pajisje optike për armë
- Dy bajoneta, dy peshore elektrike për matjen e narkotikëve, qese të ndryshme për paketim
- Tre telefona celularë dhe pajisje të tjera të dyshuara për veprimtari kriminale
Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës thekson se aksioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për luftimin e krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve dhe posedimit të paligjshëm të armëve, duke garantuar sigurinë e qytetarëve në rajon.