Ndalet një person i dyshuar për kultivim dhe shitje të narkotikëve
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Gjilan, ka ndaluar një person të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme me substanca narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, më 10 nëntor 2025, pas ekzekutimit të një urdhri verbal për kontroll nga Prokurori i Shtetit, në shtëpinë e të dyshuarit me inicialet E.R., janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi të shumta që lidhen me kultivimin dhe posedimin e narkotikëve.

Gjatë kontrollit, hetuesit kanë konfiskuar:
- Një çantë të kaltër me tre kavanoza dhe një qese me marihuanë (peshë totale 220.87 gram),
- Dy drita LED të destinuara për kultivim të bimëve narkotike të llojit Cannabis sativa,
- Një bimë kanabis sativa të mbjellë në një gotë plastike,
- Një qese me 190 fara të kanabisit (peshë 3.70 gram),
- Dy qese me marihuanë (peshë 3.88 gram),
- Si dhe një telefon “iPhone X” me ngjyrë ari.
Pas gjetjes së provave, i dyshuari është ndaluar nga policia lidhur me dy vepra penale:
- “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe
- “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, sipas nenit 272 të të njëjtit Kod.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor pritet që ndaj tij të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.