Kosova vazhdon të godasë institucionet paralele serbe: Mbyllet edhe “Dunav Osiguranje”
Banka Qendrore konfirmon se kompania operonte pa licencë
Autoritetet e Kosovës vazhdojnë me aksionet për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit. Më 8 janar, policia ka mbyllur dy institucione të tjera, duke përfshirë Administratën Tatimore dhe kompaninë e sigurimeve “Dunav Osiguranje”.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kompania “Dunav Osiguranje” nuk posedonte licencë për të operuar në territorin e Kosovës. Në një inspektim të përbashkët me organet e rendit, BQK ka konfirmuar se kompania ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Në përgjigje ndaj informatës zyrtare nga Policia për dyshimin nëse operon me ose pa licencë një kompani sigurimi, BQK në kuadër të mandatit të saj ka informuar se një kompani e tillë nuk ka licencë për operim në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Telegrafin.
Mbyllja e “Dunav Osiguranje” vjen pas një sërë aksionesh të ngjashme të ndërmarra nga autoritetet kosovare që nga fillimi i vitit 2024. Qëllimi i këtyre aksioneve është forcimi i sundimit të ligjit dhe parandalimi i veprimtarive që minojnë sovranitetin e Kosovës.