Iu gjetën 18 bimë kanabis – Arrestohet dhe dërgohet në mbajtje i dyshuari
Një rast i kultivimit dhe posedimit të lëndëve narkotike është zbuluar të premten në fshatin Gërdoc të Podujevës, ku Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme me substanca narkotike.
Foto: Ilustrim
Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 24 tetor 2025, rreth orës 16:30, kur gjatë një kontrolli në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit – mashkull kosovar – janë gjetur dhe sekuestruar 18 bimë të mbjella të llojit kanabis si dhe 987.2 gramë marihuanë e gatshme për shitje.
Të gjitha substancat narkotike janë konfiskuar nga njësitet përkatëse të policisë, ndërsa me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës ka njoftuar se hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë, ndërsa ka theksuar se do të intensifikohen kontrollet në terren për të parandaluar kultivimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në vend.