IPK arreston policin e njësisë speciale të dyshuar për dhunë në familje
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka arrestuar një zyrtar të Policisë së Kosovës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje”. Incidenti është raportuar të ketë ndodhur më 24 tetor 2025 në Prishtinë.
Foto: Ilustrim
Sipas komunikatës zyrtare, hetuesit e IPK-së kanë reaguar menjëherë pas pranimit të informacionit duke ndërmarrë veprimet e nevojshme fillestare hetimore. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj zyrtarit policor është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Zyrtari i dyshuar, i cili shërbente në kuadër të Departamentit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, është suspenduar nga detyra me rekomandim të IPK-së, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore.
IPK ka bërë të ditur se, në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, do të vazhdojë me veprime të tjera hetimore për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti.