Gjashtë raste të dhunës në familje të raportuara 24 orët e fundit në Kosovë
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar disa raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme të vendit, ku disa persona janë arrestuar dhe disa të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Në kryeqytet janë regjistruar dy raste. Në njërin prej tyre, një bashkëshorte ishte viktimë e dhunës nga burri i saj. Gjatë intervenimit, policia ka konfiskuar një armë zjarri që dyshohet të jetë në pronësi të të dyshuarit. Ai është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në një rast tjetër në Prishtinë, policia ka arrestuar një burrë që kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Edhe ky i dyshuar është dërguar në mbajtje.
Një rast i dhunës fizike në familje është raportuar edhe në Gllogoc. Policia ka arrestuar një burrë që kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Kaçanik është arrestuar një burrë me probleme psikike-mendore, i cili dyshohet se kishte ushtruar vazhdimisht dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes. Ai fillimisht është dërguar për tretman mjekësor në QKMF-Kaçanik, ndërsa më pas, me konsultim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Dy raste janë raportuar në Pejë. Në rastin e parë, një i dyshuar në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht nënën e tij. Gjatë bastisjes në banesën e tij, policia ka konfiskuar dy qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, një mulli për bluarje dhe letra për mbështjellje. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në rastin e dytë, një burrë kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Pas arrestimit dhe intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt.