Itali, shqiptari 39-vjeçar akuzohet për dhunë në familje dhe abuzim seksual ndaj një të miture
Në qytetin italian të Brescias, një 39-vjeçar shqiptar është vënë nën akuzë për dhunë në familje, lëndime personale dhe sulm seksual të rënduar ndaj një të miture.
Foto: Ilustrim
Prokuroria ka kërkuar një dënim prej pesë vjetësh e katër muajsh burg për të, ndërsa vendimi pritet të shpallet më 30 tetor.
Sipas mediave italiane, akuzat kundër tij janë ngritur nga ish-partnerja dhe vajza e saj e adoptuar, e cila në kohën e krimeve në vitin 2023 ishte vetëm 10 vjeç. Rasti po gjykohet sipas një procedure të përshpejtuar.
I akuzuari nuk është i panjohur për drejtësinë italiane. Ai tashmë po vuan një dënim prej 17 vjetësh burg për një vrasje të kryer në vitin 2009 në Frosinone, ndërsa akuzat e reja e kanë rikthyer sërish përballë gjykatës.
Nga ana tjetër, mbrojtja e 39-vjeçarit ka mohuar të gjitha pretendimet, duke i cilësuar ato si të sajuara dhe të nxitura nga xhelozia e ish-partneres. Avokatët e tij kanë kërkuar që gjykata të marrë në konsideratë mungesën e provave të drejtpërdrejta, duke e vënë theksin te kontradiktat në dëshmitë e dhëna.
Seanca e radhës është planifikuar më 30 tetor, datë kur pritet edhe vendimi përfundimtar i gjykatës mbi këtë rast që ka ngjallur vëmendje të madhe në opinionin publik italian.