Grabitje në një banesë në Prishtinë, një shtetase të Kolumbisë i merren 10 mijë euro
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në kryeqytet, ku një shtetase e Kolumbisë është përballur me një grabitje të armatosur brenda banesës së saj.
Foto: Ilustrim
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar mes orës 20:00 dhe 20:40 në rrugën “Halil Alidemaj” në Prishtinë. Viktima ka njoftuar se tre persona të panjohur kanë hyrë me forcë në banesën e saj nën kërcënimin e armëve.
Të dyshuarit, sipas dëshmisë së saj, kanë arritur t’i marrin 10 mijë euro para të gatshme, përpara se të largoheshin në drejtim të panjohur.
Menjëherë pas raportimit, njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet. Rasti është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit, ndërsa Policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë.
Aktualisht, hetimet po vazhdojnë për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të grabitjes.