“Bixhozi lulëzon nën hije” – Zbulohet lokal ilegal në Podujevë, arrestohet një i dyshuar
Edhe pse bixhozi është i ndaluar me ligj në Kosovë që nga viti 2019, fenomeni vijon të jetë shqetësues, pasi raportime të shumta tregojnë se ai organizohet ilegalisht në disa pjesë të vendit.
Foto: Ilustrim
Autoritetet vazhdojnë përpjekjet për ta luftuar këtë dukuri, por sfidat mbeten të mëdha.
Policia ka zbuluar në Podujevë një tjetër lokal që organizonte lojëra të fatit pa licencë, duke arrestuar një person dhe sekuestruar prova materiale.
Më 13 tetor 2025 rreth orës 21:00, njësitë e hetimeve kanë ndërmarrë një aksion operacional pas informacioneve se në rrugën “Ahmet Haxhiu” po zhvillohej veprimtari ilegale e lojërave të fatit në një lokal pa emër.
Gjatë kontrollit, në koordinim me Prokurorin Kujdestar, policia ka konfiskuar para të gatshme – 85 euro dhe 1.000 dinarë, si dhe pajisje elektronike që shërbenin për organizimin e lojërave të fatit dhe bastoreve ilegale.
Në vendngjarje është arrestuar B.Bislimi i cili pas shoqërimit në Stacionin Policor të Podujevës ka pranuar organizimin e veprimtarisë së paligjshme. Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Në cilësinë e dëshmitarëve janë marrë në pyetje A. Azemi, B. Sejdiu, A. Shaljani dhe V. Tahiri.
Me vendim të Prokurorit Kujdestar, rasti është inicuar për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ndërsa ndaj të dyshuarit është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Lidhur me këtë rast bëhet e ditur se hetimet po vazhdojnë.