Arrestohet një i dyshuar, kapet me armë zjarri dhe pajisje për narkotikë

16.10.2025

Një ngjarje me elemente të veprës penale është zbuluar në orët e para të mëngjesit në fshatin Polac të komunës së Skenderajt.

Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 00:30, njësia policore gjatë një kontrolli rutinë ka ndaluar një veturë të tipit Golf 5, ngjyrë e zezë, e cila drejtohej nga A. Shaqiri.

Gjatë kontrollit, i dyshuari ka deklaruar se posedonte një armë zjarri të tipit BLOW TR 17, me tytë të shkurtër, 6 fishekë dhe një karikator.

Përveç armës, policia ka zbuluar edhe dy pako rizlla, që zakonisht përdoren për mbështjelljen e substancave narkotike, si dhe një blinder (mulli) për përgatitjen e tyre.

Shaqiri është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti penal për “Mbajtje në pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve”. Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të rastit.