Aksioni i policisë “Qielli i Thyer”, arrestohen 7 të dyshuar për posedim të lëndëve narotike

24.09.2025

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot gjatë ditës së mërkurë gjatë një aksioni ka arrestuar 7 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëhejqen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, sot është zhvilluar një operacion policor në regjionet e Prishtinës dhe Pejës.

Ky aksion, i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, është realizuar në 25 lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave.

Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale.

Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë:

• 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë;

• Një ( 1 ) peshore për matjen e lëndëve narkotike;

• 11,065 euro para të gatshme;

• 34 automjete;

• Shtatë (7) armë zjarri;

• Dokumente personale me identitet të rremë;

• Pajisje elektronike;

• Dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar.

Operacioni është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë europiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbesin të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar, duke synuar jo vetëm parandalimin, por edhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cënojnë ligjin dhe rendin.