17 vjeçari nga Prizreni gjendet i vdekur pas aksidentit – ishte raportuar i zhdukur një ditë më parë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Prizrenit këtë të martë, ku një i mitur ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me motoçikletë.
Sipas burimeve nga Policia e Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën Landovicë–Gjonaj, ku disa qytetarë që po punonin në ara kanë vërejtur një trup të shtrirë nën rrugë, rreth 7–8 metra larg saj, pranë një muri të një shtëpie në ndërtim. Personi nuk shfaqte shenja jete.
Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet fillestare.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se viktima është identifikuar si V.N., i lindur më 15.08.2008, nga lagjja Arbane e Prizrenit. I mituri nuk ishte kthyer në shtëpi që nga mbrëmja e kaluar dhe ishte raportuar si i zhdukur mëngjesin e së martës.
Sipas të dhënave fillestare nga hetimet, dyshohet se viktima, duke drejtuar një motoçikletë, nuk i është përshtatur kushteve dhe rrethanave të rrugës, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me murin mbrojtës të një shtëpie në ndërtim. Si pasojë e përplasjes, ai ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, po vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti tragjik.