Prokuroria heton ndeshjen Ballkani – Dinamo Zagreb, reagon Ballkani

31.03.2024

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet me dyshimet për kurdisje të ndeshjes së Ballkanit ndaj Dimano Zagrebit në kuadër të Conference League, e zhvilluar më 5 tetor të vitit të kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri”. Nga ana tjetër, skuadra kampione në fuqi e Kosovës ka reaguar duke theksuar se është shqetësuese tendenca për dëmtimin e imazhit të klubit.

Prokuroria heton ndeshjen Ballkani – Dinamo Zagreb, reagon Ballkani Foto: Ilustrim

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë thënë të shtunën se janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me rastin. “Rastit të cilit i jeni referuar, më konkretisht dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Kurdisja e ndeshjes ose e sportit”, nga neni 337 të KPRK-së, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e trajtuar këtë çështje,” ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Ndërkohë te Ballkani kanë thënë se po tentohet të hidhet pluhur ndaj një fitore të jashtëzakonshme e historike të arritur ndaj skuadrës së madhe, Dinamo Zagreb. 

“Është shqetësuese tendenca për dëmtimin e imazhit të Fc Ballkanit nga disa lajme që sot po qarkullojnë nëpër media dhe rrjete sociale. Jemi të indinjuar me atë se çfarë po tentohet të hidhet ndaj nesh, ndaj punës tonë shumë vjeçare, e cila në vete bartë sakrificën dhe mundin e të gjithë akterëve brenda klubit, që me djersë punuan pafundësisht, që të arrijmë nivelet ku e kemi ngritur futbollin tonë dhe atë shtetëror. Po tentohet të hidhet pluhur ndaj një fitore të jashtëzakonshme e historike të arritur ndaj skuadrës së madhe, Dinamo Zagreb, ndeshje që pushtoi mediat evropiane e botërore për suksesin e madh të skuadrës sonë. Ftojmë të gjitha instancat e drejtësisë, Prokurorinë e Gjykatën, hetues e gazetarë, që të merren seriozisht me këtë çështje, duke sqaruar çdo detaj të mundshëm për opinionin publik. Dhe kur kjo të bëhet, të japin përgjegjësi të gjithë të involvuarit në këtë histori sepse ne nuk mund të lejojmë të përlyhet emri i klubit tonë, puna e djersa jonë”, ka theksuar Ballkani. “Ne jemi të hapur si gjithmonë për çdo kontribut ndihmese, e cila mund të jetë e nevojshme për organet kompetente, në mënyrë që gjithçka të zbardhet sa më parë”.