Koreja e Veriut lëshon raketë balistike në Detin Lindor, reagon Koreja e Jugut
Koreja e Veriut ka lëshuar të dielën një raketë balistike në drejtim të Detit Lindor, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Japonisë.
Sipas autoriteteve të Koresë së Jugut, bëhet fjalë për një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi, e cila u lëshua nga zona e Vonsanit.
Televizioni japonez NHK raportoi se raketa ra jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.
Pas lëshimit, Zyra Presidenciale e Koresë së Jugut mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i cili dënoi testin dhe i bëri thirrje Phenianit që të ndalojë menjëherë aktivitetet raketore.
Ky është lëshimi i dytë i raketës nga Koreja e Veriut brenda rreth një jave, pas testit të 12 shtatorit. Seuli e cilësoi veprimin si shkelje të drejtpërdrejtë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Lëshimi vjen në një kohë tensionesh të shtuara në Gadishullin Korean, pasi Pheniani ka kundërshtuar stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA-ja dhe ka deklaruar se do të vazhdojë forcimin e arsenalit të tij bërthamor.