Mbështetja për Kosovën dhe rajonin diskutohet në Kongresin amerikan
Përfaqësues të Këshillit për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) zhvilluan një takim me Kongresisten amerikane Nicole Malliotakis, ku u diskutuan çështje me rëndësi për Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.
Në fokus të bisedimeve ishte forcimi i marrëdhënieve mes Greqisë dhe Kosovës, si dhe nxitja e bashkëpunimit më të thellë që mund të çojë drejt njohjes formale të Kosovës nga Greqia.
Gjithashtu, u trajtuan shqetësimet lidhur me të drejtat dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, me theks të veçantë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe nevojën për angazhim të vazhdueshëm amerikan në këtë proces.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe situata aktuale në rajon, përfshirë ndikimin e Rusisë dhe Kinës, si dhe mënyrën se si Serbia ushtron ndikim politik, ekonomik dhe medial në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë takimit u theksua se Kosova mbetet një nga shoqëritë më pro-amerikane në botë, ndërsa Shqipëria dhe komunitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi vazhdojnë të mbështesin fuqishëm orientimin euroatlantik.
Takimi përfundoi me zotimin për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet zyrës së Kongresistes Malliotakis dhe AARC, si dhe me ftesën që ajo t’i bashkohet Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongres.Nga AARC u theksua rëndësia e vazhdimit të këtij dialogu për forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe angazhimit amerikan në rajon.
