Vrasja e rëndë për një borxh 20 euro në Maqitevë të Suharekës, shtyhet seanca pasi që mungon dëshmitari dhe eksperti

12.11.2021

Në seancën e sotme ishte e paraparë që të dëgjohej dëshmitari N.A, mirëpo sipas kryetares së trupit gjykues, Teuta Krusha, i njëjti nga konstatimi në fletëkthesë del se gjendet jashtë vendit dhe se sipas informatave të pranuara nga Policia e Kosovës i njëjti ka kohë që nuk ka qënë në Kosovë. Po ashtu i ftuar […]

Vrasja e rëndë për një borxh 20 euro në Maqitevë të Suharekës, shtyhet seanca pasi që mungon dëshmitari dhe eksperti Foto: Ilustrim

Në seancën e sotme ishte e paraparë që të dëgjohej dëshmitari N.A, mirëpo sipas kryetares së trupit gjykues, Teuta Krusha, i njëjti nga konstatimi në fletëkthesë del se gjendet jashtë vendit dhe se sipas informatave të pranuara nga Policia e Kosovës i njëjti ka kohë që nuk ka qënë në Kosovë.

Po ashtu i ftuar për tu dëgjuar sot ishte edhe eksperti mjekoligjor Musa Gashi, për të cilën gjykata kishte prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo i njëjti nuk ka mundur të prezentoj pasi që janë në grevë, raporton “BetimipërDrejtësi”.

Pasi që nuk ishin të pranishëm në seancë dëshmitari dhe eksperti, prokurori Metush Biraj deklaroi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës së sotme dhe propozoi që e njëjta të mos mbahet dhe të shtyhet.

Pasi që nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës së sotme, kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha, konstatoi se seanca e sotme nuk do të mbahet dhe e njëjta është shtyrë për datën 15.11.2021.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, ngarkon S.A se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020 në një kafene në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e L.A.

Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Sh.K vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi L.A e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit L.A, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, A.K dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit Sh.K, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.

Me këto veprime, S.A akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë”.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Vepra penale “vrasja e rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. Ndërsa, vepra penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënohet me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi