Vrasja në Prizren, 30 ditë paraburgim ndaj të pandehurit për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit E.B., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Foto: Ilustrim
Vendimi, i marrë nga gjyqtari i procedurës Artan Sejrani, është dhënë pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore dhe analizimit të provave të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit.
Sipas dosjes hetimore, ngjarja ka ndodhur më 10 gusht 2025, rreth orës 20:30, në lagjen “Tusus” të Prizrenit. Prokuroria pretendon se i pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, ka vepruar në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës H.Sh. Fillimisht, palët kanë nxitur qenët e tyre në një përleshje, dhe pas një fjalosjeje të shkurtër, i pandehuri ka nxjerrë një thikë të zezë tip “patent” dhe e ka goditur viktimën në gjoks. Sipas provave, viktima nuk e ka pritur sulmin, pasi kishte marrëdhënie shoqërore me të pandehurin.
Pas sulmit, i pandehuri është larguar në drejtim të një fshati afër, ndërsa viktima është dërguar fillimisht në emergjencën e Spitalit “Daut Mustafa” në Prizren dhe më pas në QKUK në Prishtinë, ku ka ndërruar jetë nga plagët e marra.
Në të njëjtën kohë dhe vend, i pandehuri dyshohet se ka poseduar armë të ftohtë pa leje në një vend publik ku ndodheshin shumë persona, duke e përdorur për qëllime vdekjeprurëse, gjë që përbën shkelje të legjislacionit për armët.
Gjykata ka arsyetuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh:
- faktin që i pandehuri ka qenë në arrati pas ngjarjes dhe është kapur vetëm pas kërkimit nga Policia e Kosovës;
- rrezikun e shmangies nga drejtësia nëse lihet në liri;
- mundësinë e ndikimit mbi dëshmitarët apo fshehjes së provave;
- rrezikun për pengimin e zhvillimit normal të hetimeve.
Gjithashtu, është theksuar pesha e rëndë e veprave penale dhe mënyra e kryerjes së tyre, duke theksuar se sulmi ka qenë i befasishëm, me dashje dhe në rrethana që tregojnë përdorimin e besimit të viktimës për ta goditur fatalisht.
Duke u mbështetur në të gjitha këto rrethana, Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është më e përshtatshme në këtë fazë, me qëllim të sigurimit të pranisë së të pandehurit në procedurën hetimore dhe para institucioneve të drejtësisë, si dhe për garantimin e mbarëvajtjes së pandërprerë të hetimeve.
Masa e paraburgimit do të zgjasë deri më 11 shtator 2025, periudhë gjatë së cilës Prokuroria pritet të marrë në pyetje dëshmitarët dhe të zhvillojë veprime të tjera hetimore lidhur me rastin.