U kap me 120kg marihuanë, arrestohet i dyshuari B.K.
Një person është arrestuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
I dyshuari, identifikuar me inicialet B.K., u ndalua në rajonin e Prishtinës gjatë një kontrolli në autobus, ku hetuesit i gjetën dhe sekuestruan rreth 120 kilogramë substancë narkotike. Veprimi u krye nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, e cila po vazhdon hetimet në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.

Me vendim të Prokurorisë Speciale, B.K. është ndaluar për 48 orë, ndërsa autoritetet theksojnë se mbeten të vendosur në luftën kundër veprave penale që lidhen me narkotikët, për të garantuar siguri dhe mirëqenie në komunitet.
Hetimet rreth këtij rasti vazhdojnë, ndërsa Prokuroria Speciale apelon tek qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo informacion të dobishëm për parandalimin e trafikimit të drogës.