Mbyllen 30 qendra masazhi dhe lokale nate pas një aksioni të gjerë inspektimi
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka ndërmarrë një aksion të gjerë inspektimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës.
Gjatë këtij aksioni janë inspektuar gjithsej 114 operatorë ekonomikë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës – 67 qendra masazhi dhe 47 lokale nate që ushtrojnë veprimtari tregtare dhe aktivitete argëtimi.
Si rezultat i kontrolleve, 30 prej tyre janë mbyllur përkohësisht, për shkak të mosregjistrimit të bizneseve dhe mungesës së pëlqimeve apo aktvendimeve që vërtetojnë përmbushjen e kushteve minimale teknike të funksionimit.
Po ashtu, ndaj 33 operatorëve ekonomikë janë shqiptuar masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi, për ushtrim të veprimtarisë në kundërshtim me ligjin.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë të ditur se inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, dhe paralajmëroi se ndaj çdo shkeljeje të identifikuar do të merren masa për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë.