Sekuestrohen 380 fishekë në një lokal në Prishtinë, Dogana nis hetimet
Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë sekuestruar sot 380 fishekë gjatë një kontrolli operativ në një lokal afarist në Prishtinë, si pjesë e veprimeve të rregullta për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës.
Foto: Ilustrim
Gjatë kontrollit, në lokal dhe në një automjet të lidhur me rastin, janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 350 fishekë 9 mm për armë të shkurtër (pistoletë) dhe 30 fishekë kalibri 70 mm për armë gjuetie. Sipas Doganës, dyshohet se këta fishekë janë mbajtur në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Për rastin është njoftuar Prokuroria kompetente, ndërsa hetimi dhe trajtimi i mëtejshëm i çështjes i është dorëzuar Policisë së Kosovës, në përputhje me procedurat ligjore.
Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në parandalimin e çdo veprimtarie të paligjshme që mund të cenojë sigurinë publike dhe rendin ligjor.