Gani Gecit i caktohet një muaj paraburgim për rastin e kanosjes së gazetarit Mehmetaj
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ish-deputetit Gani Geci, i cili dyshohet për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Vendimi është marrë pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, raporton Ekonomia Online, transmeton SuharekaOnline.
Sipas Prokurorisë, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 11 tetor 2026, rreth orës 19:27, në zyrat e portalit “VOX Kosova” në Prishtinë.
Dyshohet se Geci ka kanosur gazetarin Mehmetaj për shkak të një postimi të publikuar në Facebook lidhur me deputetin Fatos Geci, duke kërkuar nga ai që ta largonte ose ta ndryshonte përmbajtjen e postimit.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, pas refuzimit të kësaj kërkese, Geci dyshohet se e ka kanosur gazetarin me fjalët: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra”.
Ndërkohë, familjarët e Gecit kanë vazhduar të qëndrojnë para Pallatit të Drejtësisë edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore.
