MINT merr vendim për rregullimin e çmimeve të naftës – Marzha tregtare e kufizuar në 2 dhe 12 centë për litër
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka marrë vendim për vendosjen e masave mbrojtëse dhe rregullimin e çmimeve për produktet e naftës të përdorshme në transport, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe ruajtjes së konkurrencës së ndershme në tregun e brendshëm.
Ky vendim, i cili është rezultat i një mbikëqyrjeje të vazhdueshme të tregut nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, vjen pas konstatimeve se operatorët ekonomikë reflektojnë menjëherë rritjet e çmimeve nga importi, por nuk ndodh e njëjta gjë kur çmimet bien.
Masat kryesore të përcaktuara me këtë vendim janë:
- Marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë është 2 eurocent për litër.
- Marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me pakicë është 12 eurocent për litër.
Gjithashtu, subjekteve ekonomike u kërkohet që të furnizojnë dhe ofrojnë për shitje produktet e naftës në përputhje me çmimet e përcaktuara para vendosjes së masave mbrojtëse. Vendimi parashikon edhe mbikëqyrje të shtuar të tregut nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
Vendimi do të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe do të zbatohet për një afat prej 90 ditësh.
Ministria thekson se ky vendim është në funksion të interesit publik dhe garantimit të një tregu të drejtë për të gjithë qytetarët.
